24 ORE ME LORENC VANGJELIN

0
82

Ai është një personazh të cilin, jemi mësuar ta shohim shpesh pjesë të debateve politike dhe ngjarjeve më kritike në vend, si një vëzhgues dhe kritikues i ashpër i anomalive të jetës shoqërore shqiptare. Lorenc Vangjeli, me profesion gazetar, i njohur dhe si analist, momentalisht është anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Në luftën e tij të vazhdueshme mes gazetarisë kritike dhe politikës gjen pak kohë për të na rrëfyer një itenerar të ditës së tij, mbi atë çka bën dhe çka do të donte të bënte më tepër, mbi kohën e lirë aq të munguar dhe dispozicionin e pakushtëzuar ndaj profesionit..

Kur dhe si nis dita juaj?

Prej shumë kohësh dita ime nis natën. Nuk kam një marrëdhënie të mirë me gjumin dhe ndërkohë që jashtë është errësirë, zgjohem, shoh televizor, kryesisht dokumentarë dhe fle sërisht. Kur ka zbardhur dita dhe kam dëgjuar edhe pasqyrën e shtypit, kam dëshirën e çmendur që të vazhdoj të fle, gjë që normalisht nuk ndodh. Fati i madh i profesionit të gazetarit është që nuk ka orare fikse që të të detyrojnë të vraposh jashtë shtratit, por është dhe fati i keq që kohën e rihyrjes në shtrat e shtyjnë pafund. Në mëngjes jam vazhdimisht i përgjumur, në mbrëmje vonë, jam gjithmonë i pagjumë.

Kafen e mëngjesit zakonisht e pini ku..? Me kë? 

Prej shumë kohësh kafja e mëngjesit është dhe kafja e vetme që pi gjatë ditës, i shoqëruar nga vesi i hershëm dhe aspak i dobishëm i duhanit. Më pëlqen të jem vetëm në këtë ritual, por në një qytet të vogël si Tirana, ku të gjithë duket se njohin gjithkënd, vetmia është një luks i rrallë. Më ndodh shpesh të ndaj me njerëz tërësisht të panjohur në kafen e mëngjesit dhe po kaq shpesh, të dëgjoj histori, probleme njerëzore, halle e derte të pabesueshme, nga ato lloj historish vetjake të cilat pothuaj kurrë nuk bëhen publike, por që të gjitha së bashku, dëshmojnë atë mozaik të trishtë e nervoz të jetës së shoqërisë shqiptare. Më vjen keq të them, por njeriu i lumtur në Shqipëri më ngjan një racë në zhdukje. Vendin e tij e ka zënë qytetari i stresuar, qytetari i pasigurtë, qytetari i shqetësuar. Ndoshta, për të shkuar më tutje, lumturia është spaletë që mund ta mbajnë vetëm fëmijët, që nuk kuptojnë gjë, apo ata që vërtet nuk kuptojnë asgjë.

Duke qenë se jeni dhe gazetar, sa kohë ju merr shtypi i përditshëm?

Në kohën e sotme, ku komunikimi është shndërruar në pushtet më vete, nga shtypi i përditshëm nuk pres të marr informacion për ngjarje, me të cilat jam njohur që një ditë më parë. Ndjek qëndrimet editoriale, lajmet politike dhe nuancat e raportimit të tyre dhe ky është një proces që mund të zgjasë nga pak minuta deri në një orë. Gjatë ditës informacionin e marr kryesisht nga mediat online.

Aktualisht jeni gazetar, analist dhe anëtar në Këshillin Bashkiak. Mund të na thoni diçka më shumë rreth veprimtarisë suaj ?

Nuk ka asgjë të veçantë. Si gazetar, besoj e shpresoj se kryej detyrën e qortimit të qeverisjes. Kemi nje qeveri që autoduartrokitet deri në banalitet, por që unë e shoh si një fatkeqësi që duhet të marr fund në këtë formë, stil e përmbajtje një orë e më parë. Ka shumë propagandë dhe pak punë konkrete. Ka pak modesti dhe shumë mëkate. Shpesh edhe kriminale. Ka pak lugë për qytetarin dhe shumë lugë të futura në xhepin e vetë qeverisë. Në Këshillin Bashkiak të Tiranës bëj pjesë në grupin e këshilltarëve socialistë dhe tentoj të jem një zë kritik për gjithë çfarë po vete keq në kryeqytet, duke nisur që me frakturën që mori drejtimi i saj me zgjedhjet e manipuluara të majit 2011. Një gjë është e qartë, së paku me mua dhe shumicën e banorëve të kryeqytetit: Tirana nuk po ecën në drejtimin e duhur. Ankthi se edhe ato pak ambiente të gjelbërta brenda qytetit do të mbillen me beton gri që prodhon para, është gati për t’u bërë realitet.

Orari i drekës, ku dhe me kë ju gjen?

Përgjithësisht, diku në mes të segmentit zyrë-shtëpi. Nëse ndodhem në skajin e parë, vazhdoj të punoj pa kuptuar se jam i uritur, nëse ndodhem në skajin e dytë, ha pa uri dhe nxitoj të rikthehem në zyrë.

Si vazhdon pasditja juaj?

Si paraditja. Në takime pune dhe në punë të cilat, në thelbin e tyre kanë spontanitetin. Nuk kam kalendar xhepi dhe as axhendë në telefon.

Aktiviteteve politike sa kohe i kushtoni?

Profesioni i gazetarit është një zeje që ka brenda politikën. Të qortosh qeverisjen është politikë, të flasësh mbi qeverisjen, është politikë, të komunikosh me publikun, gjithashtu është politikë. Në këtë kuptim, e gjithë dita ime është politikë si profesion. Ashtu si dita e çdo qytetari shqiptar në luftën e mundimshme për ekzistencë përballë krizës ekonomike, sigurisë publike të kërcënuar, shërbimeve të munguara, drejtësisë së deformuar, arsimimit që lëngon e kështu me rradhë.

Ç’hapësirë zënë takimet e punës? Po hapësirat për miqtë?

Puna ime bëhet kryesisht me miq. Edhe me ata që më duhet të debatoj, shpesh edhe ashpër për ide të kundërta, preferoj të ndaj marrëdhënien personale nga ajo e kundërshtive. Në Shqipëri është folur shumë shpesh për miqësinë si një vlerë në krye të hierarkisë së vlerave që ne kemi si popull, por fatkeqësisht, kjo kohë, kultivon shumë armiqësi. Besoj se armiqësia rrjedh nga politika që është burim i saj. Nëse ju duhet një emër konkret, të cilin nuk po e përmend, armiqësinë e ujit me egërsi, ai burri që e shohim çdo natë nëpër ekrane dhe bërtet edhe kur flet përpara fëmijëve.

Sa shpesh i pranoni ftesat në programe të ndryshme televizive?

Pranoj më rrallë ftesa, sesa ftohem. Nuk refuzoj kurrë një debat politik, ndërsa për tema të tjera, njëlloj si kjo intervistë me ju, mendohem më gjatë. Edhe tani që po ju përgjigjem, nuk di sa mund të jep i dobishëm për natyrën e lexuesit tuaj.

A ka ndonjë veprimtari sportive të veçantë në ditën tuaj të zakonshme?

Ka disa vjet që kam rizbuluar magjinë e ecjes në këmbë. Makinën e përdor vetëm kur është e domosdoshme. Dhe gjithashtu, ka mbi dy vjet, që kam rinisur vrapin. Disa herë në javë shkoj në palestër dhe vrapoj gjatë, por gjithmonë më pak sesa do të doja të vrapoja. Betejën time për divorc me duhanin e kam humbur me sukses në çdo tentativë, ndaj parapëlqej ta shoqëroj atë me kohë pauze në palestër, ku nuk mund të mbash çakmak në xhepa. Sepse vjen një kohë, kur ditët të bëhen më të çmuara, kur e shkuara e afërt nxiton të bëhet shpejt e largët, kur kalendari të jep kumte të pashëndetshme, pra, vjen ajo kohë, kur të duhet të vraposh për të kapur kohën.