Alkejsi: E bukur për mua do të ishte vizualizimi i një femre që e njeh veten në çdo skaj të saj!

Unë jam Alkejsi. 
Siç shpesh ndodh në familjet shqiptare emrin ma ka vendosur gjyshja. Ajo besonte se emrat që fillojnë me A kanë një prezencë tjetër në shoqëri dhe i pëlqenin gjërat e veçanta. Gjatë jetës më ka shoqëruar ndjesia për ta justifikuar zgjedhjen e saj me individin që unë përfaqësoj.

Familja ime përbëhet nga prindërit e mi, unë dhe vëllai 4 vite mëe i vogël. Lidhjen me mamin do e veçoja si diçka që ka ndikuar thellë në psikologjinë dhe formimin tim, falë figurës së saj në familje. Jam rritur me vetbesim dhe dashuri për jetën, sepse ajo i ka inkurajuar dhe promovuar gjithmonë cilësitë e mia. Ato çfarë kisha ndryshe nga të tjerët, ato çfarë shumë prind të tjerë do përpiqeshin t’i ndryshonin tek fëmijët dhe t’i jepnin formën e duhur sipas standarteve të shoqërisë, por ajo zgjodhi të më rrisë dhe edukojë të lirë nga këto komplekse njëkohësisht duke rrënjosur tek unë karakterin e një femre të vendosur për idetë e saj dhe ambicioze. 
Fëmijërinë time e kam kaluar në qytetin e Kukësit, me të cilin ndihem e lidhur përjetë, duke qenë se mamin e kam kuksiane. Kukësi është një qytet që ka në masë femijë të vegjël dhe kam qenë gjithmonë e rrethuar nga plot shokë e shoqe, lojëra kolektive, energji grupi dhe shumë pasion për të drejtuar dhe organizuar i kultivuar ky që në fëmijëri. 
Kam qenë fëmijë ëndërrimtare dhe e vendosur, me pëlqenin bisedat produktive dhe e përfshija gjithmonë veten në to, nuk kam qenë e ndrojtur dhe kurrë e intimiduar nga të tjerët, përkundrazi një ekstrem tjetër i kësaj natyrë. Mendoj se jam rritur pa frikë për të panjohurën dhe më shumë aprovim personal për individin që shndërrohesha dita-ditës.

I përkas shenjës së peshores, ku e gjej shumë veten në cilësitë përkatëse të saj; përpiqem të mbaj të balancuar çdo aspekt të jetës si shkolla së bashku me pasionet e mia, peshoret janë ëndërrimtare, e shijojnë kohën vetëm, janë inteligjente dhe të fokusuara, nuk i ndahen lehtë qëllimeve të tyre. Gjithashtu e gjej veten dhe në shumë persona të njohur publik që i përkasin kësaj shenje.
Në shoqëri më përkufizojnë energjike, pozitive, altruiste dhe si njeriu që gjithmonë ka një zgjidhje dhe jo një justifikim. 
Në gjërat që di të bëjë më mirë do përmendja matematikën e cila besoj është më shumë prirje për gjërat ekzakte, më shumë se sa aftësi e fituar, këndoj dhe mendoj se kam një zë të mirë, kam luajtur volejboll gjithë jetën sepse mamin e kam mësuese të edukimit fizik dhe specialiste të volejbollit. Studioj Financë, sepse më pëlqejnë llogaritë dhe njohuritë teknike mbi biznesin. Lexoj dhe kam lexuar e vogël, librat e preferuar janë : “The Power of Now, The warren Buffet wëay, I huaji”. 
Dëgjoj çdo lloj muzike që më bën të ndjej dhe përjetoj energji pozitive, edhe shumë muzikë të vjetër të Aerosmith.

Më pëlqen të lexoj gjëra praktike që mund t’i përdorësh në rutinën tënde për të përfituar nga to me shumë se sa romancë apo dramë. 
E bukur për mua do të ishte vizualizimi i një femre që e njeh veten në çdo skaj të saj dhe e përfaqëson atë me bindje në shoqëri, sepse siguria e saj vjen nga vetja dhe jo nga aprovimi i masës.

E bukur për mua është çdo gjë që më frymëzon, dhe shpesh e gjej këtë më shumë tek energjia e njerëzve se sa tek simetria e tyre perfekte fizike apo tiparet më të veçanta. Më pëlqen e bukura jashtë kornizave të zakonshme, diversiteti në tipare dhe reflektimi i tyre në karakter. Unë e ndjej veten të bukur dhe mendoj se është një nga ndjenjat me të sinqerta që zotëroj pasi buron nga dashuria për veten dhe jo nga sensi kompetitiv me asnjë individ tjetër. 
Pika më e fortë e pamjes time mendoj se janë sytë, do doja të isha më e tonifikuar dhe mendoj se jam në hapat e duhur për ta ndryshuar atë për shkak të palestrës. Jam regjistruar në këtë konkurs në limite të kohës dhe mendoj se ishte e thënë të isha pjesë e këtij edicioni. Ajo që pres nga ky konkurs është një eksperiencë e re që do më bëjë të ndjej pozitivitet në një dimension të ri dhe kontakt me njerëz të ndryshëm të cilet jam e bindur do më ndihmojnë të marr një këndvështrim tjetër mbi të bukurën dhe vetbesimin.

Alkejsi: E bukur për mua do të ishte vizualizimi i një femre që e njeh veten në çdo skaj të saj!

About The Author
-