A kërkojnë meshkujt te partneret nënën, ndërsa femrat babain? A i zgjedhim ne burrat/gratë nëpërmjet nuhatjes, në një mënyrë që thellë-thellë ka për qëllim lindjen e pasardhësve të shëndetshëm? Këto pyetje janë hipoteza të vjetra, që janë testuar në studime të kohëve të fundit.

Njëri prej tyre duket më bindës. Janek Lobmaier i universitetit të Bernës në Zvicër dhe kolegët e tij u thelluan në hipotezën e përzgjedhjes përmes nuhatjes. Rezultatet e studimit të tyre u publikuan në “Proceedings of the Royal Society”.

Ndërsa Lisa DeBruine e Universitetit të Glasgout në Britani së bashku me ekipin e saj u përqendruan te ngjyra e syve,  dhe specifikisht te fakti nëse sytë e partnerit/es së personave të përfshirë në studim përputheshin me sytë e babait/nënës.

Dr. Lobmaier dhe ekipi i tij vendosën të testonin idenë sipas të cilës ne, përmes nuhatjes, përzgjedhim partnerë që kanë nivele të larta të kompleksit të histokompatibilitetit MHC.

Individët që kanë më shumë variacion të grupeve të gjeneve MHC, kanë imunitet më të fortë, që do të thotë mundësi më e madhe për të lindur fëmijë të shëndetshëm. Gjenet MHC  gjithashtu ndikojnë te aroma individuale e trupit, që do të thotë se nuk është rastësore përzgjedhja që bëjnë kafshët në bazë të nuhatjes për partnerin me të cilin çiftëzohen.

Mbetet e paqartë nëse edhe njerëzit, në mënyrë të pavetëdijshme e bëjnë këtë lloj zgjedhjeje, pasi eksperimentet kanë prodhuar rezultate të paqëndrueshme. Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje. Dr. Lobmaier përfshiu në një eksperimet 42 femra dhe 94 meshkuj, analizat e gjakut të të cilëve përcaktuan se cilat versione të gjashtë gjeneve MHC kishin. Çdo vullnetari mashkull iu kërkua të vlerësonte erën e 8 femrave. Kampione të erës karakteristike të femrave u morën në pikun e ciklit menstrual, kur fertiliteti është në nivelet më të larta. Katër nga tetë kampionet u përkisnin grave që kishin gjene MHC të ngjashme me burrin që po testohej përmes nuhatjes, ndërsa katër të tjera kishin gjene të ndryshme MHC.

Ndërsa eksperimenti i dr. DeBruine përfshiu 150 meshkuj dhe 150 femra, gjysma e të cilëve kishin lidhje shumëvjeçare me persona të të njëjtit seks. Atyre iu kërkua informacion për ngjyrën e syve të partnerit dhe prindërve.

Qëllimi i eksperimentit ishte të testoheshin tri hipoteza kontradiktore: se njerëzit janë tërhequr nga të tjerë të ngjashëm me veten e tyre; që vajzat gjenetikisht i trashëgojnë preferencat për parnterin nga nënat dhe djemtë  nga baballarët (kështu që ata do të zgjedhin ngjyrën e syve të prindit tjetër); ose që preferencat nguliten gjatë jetës.

Për heteroseksualët, rezultati i testimit të hipotezës së dytë dhe të tretë do të dilte i njëjtë. Por përfshirja e individëve gei (meshkuj dhe femra) do të ishte për studiuesit mundësia për të bërë dallimin mes gjinive.

Përllogaritja statistikore nxori se meshkujt gei dhe femrat heteroseksuale ishin dyfish më të prirë për të zgjedhur partner me të njëjtën ngjyrë sysh si babai. Ndërsa meshkujt heteroseksualë dhe lesbiket kishin 2.5 fish më shumë shanse të zgjidhnin partnere që kanë të njëjtën ngjyrë sysh me nënën. Megjithëse ngjyra e syve është vetëm një nga karakteristikat e shumta që mund të rrisë interesin romantik, në rastin konkret, duket se kjo lloj tërheqjeje ngulitet gjatë jetës.

Ndërsa përsa i përket eksperimentit të dr. Lobmaier, ai arriti në përfundimin se, megjithëse burrat në studimin e tij shprehën pëlqimin ose mospëlqimin e tyre në lidhje me aromat që nuhatën, përzgjedhjet nuk kishin lidhje me gjenet MHC të grave të përfshira në studim, çka e rrëzon hipotezën e përzgjedhjes së ngjashme me atë të kafshëve. / The Economist / 

Çfarë thonë sytë dhe aroma e trupit për tërheqjen seksuale?

| Te Ndryshme |
About The Author
-