Emocionohet Mimi Kodheli në fjalimin e fundit si ministre e Mbrojtjes

0

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli mbajti sot fjalën e fundit para ushtarakëve e ushatareve të Forcave të Armatosura.

“Një eksperiencë unikale, gjatë të cilës ka pasur dhe pengesa të qëllimshme” tha ministrja Kodheli duke iu referuar ish presidentit Bujar Nishani i cili nuk dekretoi gjeneral Jeronim Bazon në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

“Mbi 10 muaj forcat tona të Armatosura u lanë qëllimisht pa Shef Shtabi” tha Kodheli.
Për këtë ministrja falenderoi kryeministrin Rama dhe Presidentin Meta për kthimin e normalitetit në Forcat e Armatosura.

Mes falenderimeve zonja Kodheli pati dhe një mesazh për Forcat e Armatosura: Shëroni ato pak plagë që keni dhe mos harroni se kundërshtari juaj nuk është në llogoren përballë”

Fjala u mbajt në ceremoninë e marrjes së detyrës së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura nga Gjeneral Bardhyl Kollçaku.

Kujtojmë që në 4 vitet e ardhshëm kryeministri Rama vendosi në postin e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçkën.

Fjala e Ministres se Mbrojtjes Kodheli

Jam përpjekur gjatë për të kthyer në normalitet Forcat e Armatosura. E nisëm me gjeneral Bazon e shumë ushtarakë të tjerë.  Na u desh një paketë e qartë reformash për ta shpëtuar nga korrupsioni masiv dhe reputacioni negativ.

…Katër vite më parë në këtë strukturë nuk vlente karriera.

…Situata financiare ishte e goditur rëndë nga  borxhet e akumuluara ndër vite.

…Forcat e Armatosura janë të bazuara në rregull e traditë dhe nder. Këto elementë të kombinuar me rregullat demokratike dhe kontrollin civil mbi atë ushtarak i gjeta të cënuara rëndë. E përsëri e theksoj zgjedhjet i gjeta mes jush, ushtarakeve e ushatarakëve të FA.   

Por kjo përpjekje 4 vjeçare pati rrugës dhe pengesa të qëllimshme. Mbi 10 muaj forcat tona të Armatosura u lanë qëllimisht pa Shef Shtabi.

Gjej rastin të falenderoj gjeneral Bazon për punën e tij të palodhshme dhe bashkëpunimin me mua si ministër i Mbrojtjes.

Falenderoj kryeministrin Rama dhe presidentin Meta për gadishmërinë e treguar për dekretimin e gjeneral Kollçakut, Normaliteti i Republikës së Shqipërisë, duhet të jetë, dhe fatmirësisht është sot mbi dëshirat personale. Sot po tregojmë se ku vend është normal, i rregullt, dinjitoz dhe aleat i strukturës më të rëndësishme ushtarake, NATO.

Kjo është hera e fundit që marr pjesë një një aktivitet të tillë të zgjeruar në cilësinë e ministres së Mbrojtjes. Në këto katër vite jam përpjekur dhe kam përjetuar një eksperiencë unikale.

Kam njohur njerëz, gra e burra prej të cilëve kam mësuar shumë. Kam mësuar se ushtarakët janë njerëz të sakrificës, të vetëmohimit, që e duan atdheun e flamurin.

Por, padyshim, kam parë dhe shembuj të këqinj. Shëroni ato pak plagë që keni dhe mos harroni se kundërshtari juaj nuk është në llogoren përballë.

Dua të falenderoj shumë njerëz me emër, mbiemër e detyrë, por nuk mund ta bëj sepse lista është shumë e gjatë, gjithsesi faleminderit të gjithëve ju që në ministrinë e Mbrojtjes bëtë të mundur të kemi një realitet që është krejt i ndryshëm nga ai i mëparshmi, që të jetë një ndër realitetet më të mira të mirëqeverisjes së këtij vendi. Treguam se mund ti modernizonim forcat e armatosura. Mund ti përdornim më mirë burimet në dispozicion. Të merrnim pjesë në çdo mision e stërvitje të aleancës; në  tokë, det, ajër.

Kemi bërë të mundur forcimin e përfaqësimit tonë ushtarak në Afganistan, Kosovë, Letoni, Bosnje, Mali e në detin Egje. Kudo ku kemi shkuar ju na keni nderuar prandaj ju falenderoj nga zemra.

Katër vite në drejtimin e ministrisë së Mbrojtjes do të jetë eksperienca më e paharrueshme e jetës time.

Punë të mbarë e Zoti ju ruajt!