Qeveria “Rama” do të shpërblejë prindërit shqiptarë për lindjen e fëmijëve. Kështu, për ata prindër që sjellin në jetë fëmijën e parë, shpërblimi do të jetë 400 mijë lekë të vjetra, për fëmijën e dytë 800 mijë lekë, ndërsa për fëmijën e tretë 1 200 000. Nisma u prezantua sot nga kryeministri Rama gjatë një konference shtypi, ku u fol për risitë në buxhetin e vitit 2019.

Rama tha se hapësira financiare për një nismë të tillë është krijuar falë zbatimit të reformave të qeverisë në mandatin e parë dhe deri tani.

“Vetëm me heqjen e taksës së sheshtë dhe vendosjes së taksimit të ndershëm, bëmë që 570 mln dollarë të mos shkojnë në arkën e shtetit, por të mbeten në xhepat e qytetarëve. Sot jemi këtu për të folur lidhur me një politikë të re që duam të lancojmë. Jemi gati, sepse kemi bërë reforma, kemi vendosur rregulla në financat e shtetit, dhe kemi mundësinë të bëjmë diçka që e kishim të pamundur disa vite më parë. Në vitet 2000 unë pata lançuar si kryetar i bashkisë së Tiranës, çekun e bebes, 50 mijë lekë të vjetra, dhe mbeti aq sa ishte për shumë vite, madje mbeti një problem, dhe në malin e borxheve të mbetura ne kishim edhe një borxh prej 5 milion dollarësh për bebet që nuk e kishin marrë. Borxh që e shlyem. Asgjë më nuk ka ndryshuar në këtë politikë, që sot kthehet në rendin e ditës me një shumëfishim nga 1 janari 2019. Çdo çift do të marrë 400 mijë lekë për fëmijën e parë, 800 mijë fëmija i dytë, dhe fëmija i tretë 1 milion e 200 mijë lekë”, tha Rama.

Me këtë nismë, qeveria “Rama” duket se synon të nxisë numrin e lindjeve.

Vitet e fundit, si pasojë e rënies së numrit të lindjeve dhe emigracionit ende të lartë, është shënuar një rënie e madhe e numrit të nxënësve që ndjekin arsimin 9-vjeçar.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, në vitin shkollor 2018-2019, arsimin 9-vjeçar e ndjekin rreth 296 mijë nxënës, ose rreth 23 mijë më pak se vitin e kaluar, me rënie prej 7.1%. Dy vitet e fundit, rënia në ciklin nëntëvjeçar ka qenë më e madhja që nga viti 1991. Për vitet 2016-2017 dhe 2017-2018 në këtë cikël ishin 46 mijë fëmijë më pak.

Rënia e numrit të nxënësve është tregues direkt i tkurrjes së grupmoshës së re dhe rrjedhimisht plakjes së popullsisë. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 1989, popullsia në moshën 0-14 vjeç ishte rreth 1 milionë persona, ndërsa në vitin 2017 ishte rreth 522 mijë persona, pothuajse përgjysmim.

Po sipas INSTAT, për shkak të rënies së numrit të lindjeve dhe rritjes së emigracionit, është rritur edhe numri i të moshuarve. Popullsia mbi 65 vjeç zinte 13% të totalit në vitin 2017, nga vetëm 7.4% në vitin 2001.

Ndryshime të tilla në strukturën e popullsisë shoqërohen me efekte që kanë të bëjnë me strukturën e forcës së punës, kërkesë/ fertën për punë. Po ashtu, plakja e popullsisë rëndon mbi sistemin e pensioneve dhe rrit kostot e kujdesit shëndetësor./TemaTv/

 

Lajm i mirë, nga 400 mijë deri në 1.2 milionë lekë shpërblim për bebet e porsalindura nga janari i 2019-ës!

| Te Ndryshme |
About The Author
-