Luis Kaçorri, sulmuesi që Partizani e refuzoi dhe tani ndiqet nga Seria A

0
12

Luis Kaçorri u refuzua në verë nga Partizani, por ai tani po shkëlqen në Itali, gjë e cila pasqyrohet nga profili që gazetari i “Sky”, Xhanluka Di Marcio, i ka bërë në faqen e tij: “Fizik i bëshëm, i denjë për një truprojë. Por kush e njeh, garanton se Luis Kaçorri është një prej atyre futbollistëve me shpirt fisniku. Një gjigant i butë.

 

Prezencë atletike befasuese, 194 centimetra gjatësi dhe me kokën mbi shpatulla. Objektivi i tij është vetëm një, të mbërrijë në majë, me hapa të vegjël dhe të sigurt dhe për këtë arsye, sulmuesi i datëlindjes 1998 ka përqafuar projektin e Igea Virtus, klub sicilian, që, si gjithmonë, ka ditur të vlerësojë të rinjtë. Dhe tani i gëzohet talentit të Kaçorrit, i mbërritur nga Shqipëria, me një biletë vetëm vajtje…

I pajisur me pasaportë italo-shqiptare (i lindur në Ronkiljone, por i rritur jashtë Italisë), ai kreu fazën përgatitore te Partizani i Mark Iulianos, por fatkeqësisht të kuqtë nuk e vlerësuan siç duhet dhe më 14 shtator, ai zbarkoi në Itali, tek Igea, ku i mjaftuan vetëm dy stërvitje për të mahnitur drejtorin sportiv Graso dhe trajnerin Rafaele.

Edhe në daljen e parë zyrtare pati mbi shpatulla bluzën e titullarit në supersfidën e Grupit I, në Serinë D, kundër Noçerinës. Dhe nëse nuk do të kishte qenë për shtyllën, ai do ta kishte festuar me gol. Gjithsesi, ato do të vinin shumë shpejt, sepse në pesë daljet e para ka realizuar tre.

Kaçorri është i vendosur që të ketë një rol protagonisti në Sicili, sepse ai është realisht një sulmues modern, që frymëzohet tek Ibrahimoviç dhe që tani ka nisur të tërheqë vëmendjen e klubeve të Serisë A dhe B, ndërsa në orët e fundit po këmbëngulin Foxhia (Seria B) dhe Lukeze (Seria C), ndërkohë që Partizani, i cili konfirmon problemin e golit, ndoshta, tani po ‘ha thonjtë’, që nuk e vlerësoi siç duhej…”.