Asnjë maturant që nuk ka zhvilluar një lëndë apo ka mësuar një tjetër me emërtim të ngjashëm në shkollë të mesme nuk do të penalizohet për të vijuar studimet e larta. Ky është rezultati që ka ardhur pas bisedimeve të vazhdueshme gjatë këtyre ditëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ministrisë së Arsimit dhe rektorëve të universiteteve.
Siҫ shkruan gazeta “Panorama”, një ditë më parë, deputetët e LSI-së, Monika Kryemadhi e Kejdi Mehmetaj patën një takim me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila, bashkë me universitetet, ka pranuar të rishikojnë kriteret për pranimin e maturantëve. Më konkretisht, bëhet fjalë për gruplëndët që kanë peshë të ndryshme për degë të caktuara që shumë maturantë as i kanë bërë në gjimnaze e të tjera kanë bërë të njëjtën lëndë, por me emërtim tjetër: “Ajo për të cilën ramë dakord dhe ministria e universitetet po punojnë është për një rishikim të kritereve të vendosura nga universitetet për fazën e dytë, me qëllim që në totalin e pikëve që fiton maturanti, asnjë prej tyre të mos përllogaritet zero. Rasti i një dege që filozofia është vendosur si kriter dhe gjimnazisti nuk e ka bërë, nuk do t’i quhet zero, por një lëndë e përafërt që po dakordësohet mes universiteteve dhe ministrisë”,- tha për gazetën deputetja Mehmetaj, pas takimit në ministri.

Qëllimi i këtij diskutimi është që një maturant me notë mesatare më të ulët të mos renditet në sistem përpara një tjetri me mesatare më të lartë.

BISEDIMET

Në takimin e djeshëm, Lëvizja Socialiste për Integrim duket se ka gjetur gjuhën e përbashkët me Ministrinë e Arsimit për zgjidhjen e problemit të maturantëve jofitues, ndonëse me mesatare të lartë. Ministria e Arsimit ka rënë dakord të bisedojë me rektorët për më shumë fleksibilitet në caktimin e lëndëve që kanë peshë në përllogaritjen e pikëve finale, duke bërë që në listën e fituesve të raundit të dytë asnjë prej tyre të mos vlerësohet me zero.
LSI është tërhequr nga propozimi fillestar për pranimet me tre raunde, duke qenë se ministria ka gjetur një zgjidhje të ngjashme, me një post raund, ndonëse deri më tani nuk është futur në udhë­zimin e pranimeve. Kështu, sipas Mehmetajt, raundi i dytë do të jetë sërish me 10 preferenca, jo 5, siç ata propozuan në krye të herës, i cili do të ndiqet nga një fazë që do të plotësojë kuotat e mbetura bosh me kandidatët poshtë vijës së kuqe: “Në raundin e dytë, maturantët aplikojnë sërish me dhjetë preferenca në varësi të dëshirës që kanë. Pasi mbyllet kjo fazë, lirohen vendet dhe zhvendoset vija e kuqe në bazë të vullnetit që kanë shprehur ata. Pra, nuk bën një kërkesë tjetër me një listë të re, por vazhdon me të njëjtën derisa të fitojë një prej shkollave që ka listuar”, sqaron deputetja e LSI-së. Pasi MAS dhe universitetet kanë rënë dakord në parim, pritet që bisedimet mes palëve brenda koalicionit të jenë pjesë e udhëzimit nr.13 për aplikimet në universitete.

Universitetet/ Zgjidhet ngërçi i maturantëve në raundin e dytë të garës, ndryshojnë kriteret

About The Author
-