Xheni: Unë bukuri shquaj inteligjencën, kjo është edhe “arma” ime më e fortë


Unë quhem Xheni. Jam 19 vjeçe. Lindur në Athinë dhe me origjinë nga Vlora. Emri tim e kanë vendosur prindërit. Arsyeja, pëlqimi i të dyve ndaj një aktoreje greke e cila quhej po njësoj si unë tani. Të dy dëshironin që unë t’i ngjaja si nga pamja, por edhe nga ana e karakterit pasi ishte një femër shumë e bukur edhe shumë dinamike. Unë me familjen time kam marrëdhënien më të mirë të mundshme. Janë mbështetja ime më e madhe në çdo hap që hedh në jetë. Nuk më kanë kufizuar në asnjë drejtim që ka qenë për të mirën time. 
Janë krahu ku unë mbështetem në çdo sukses por edhe në çdo “dështim”. Mendoj se aty qëndron edhe celësi i vërtetë i suksesit, aty ku e kupton se vërtetë jemi të pathyeshëm, fakti që janë pikërisht mbështetja ime dhe në momente më pak të këndshme për mua. Ne jemi katër anëtar në familje. Babi, mami, une dhe vëllai i vogël. Unë jam po njësoj e lidhur me të tre, do ishte shumë e vështirë për mua të bëja një diferencim, për të qenë e sinqertë, e pamundur. Ata dinë çdo gjë rreth jetes time dhe janë gjithçka për mua. Unë kam qenë një fëmijë i çuditshëm, më saktë ndryshe nga fëmijet e tjerë. Gjithmonë jam shquar për shkathtësinë time, aftësit e mia në komunikim, lirshmërin, çiltërsin, pozitivitetin dhe sinqeritetin. Pavarësisht cdo lloj “gabimi” që mund të bëja si fëmijë sado të përpiqesha të gënjeja ishte e pamundur. Gjithashtu kam qenë edhe pak dinake, më pëlqente t’i ngacmoja të tjerët dhe t’i vija në lojë. Kam kaluar një fëmijëri në të cilën nuk më ka munguar asgjë. Në çdo fushë të jetës kam qenë e kompletuar si nga ana materiale, nga fusha arsimore, përkujdesia, përkushtimi prindëror. Mami im ka qenë gjithmonë e apasionuar me artin. Mund të them se e kam trashëguar më së miri këtë prej saj. Unë jam marrë me balet klasik që prej moshes 4-vjeçare e deri në moshën 18. Kërcimin që unë tashmë nuk e zhvilloj më për arsye të ndryshme më mungon gjatë gjithë kohës. 
Të jem e sinqertë mendoj se kërcimi nuk ka marr fund për mua ende. Mund të shtoj se jam marrë edhe me kurse pikture, aktrimi, kënge dhe volejbolli. Në aktrim besoj se kam talent. Gjithmonë pa harruar së përmenduri dhe modelingun. Që e vogël fare kam ëndërruar fotografitë, pasarelat por edhe kurorën e “Missit”. 
Mbaj mend sikur të ishte dje kur shikoja këtë spektakël bashkë me familjen time në televizor. I thosha mamit që një ditë do shpallem “Miss”, atëherë ajo qeshte dhe mendonte se ishte thjeshtë një ënderr ndërsa sot pas shumë vitesh unë jam këtu duke e bërë realitet. 
Unë jam Ujori si shenjë horoskopi me ashendent Binjakët. Ujorët njihen si shenja më intelektuale të zodiakut dhe mund t’a pohoj më së miri këtë fakt. Gjithashtu njihen si shenja më origjinale, ndryshe nga të tjerët, kreativ dhe moskokëçarës, janë vetëm ata dhe bota e tyre. Duan të sjellin ndryshim në botë dhe janë shumë të vendosur. Nëqoftëse u ngulitet diçka në mëndje e realizojnë pavarësisht çdo rrethane. 
Njihen për stilin e veçant në veshje, e jo vetëm. Në shoqëri përkufizohem si shpirti i saj pasi jam shumë e komunikueshme dhe me sens humori. Gjithashtu kam më shumë ide për të bërë sa më shumë gjëra të veçanta duke mbajtur sa më larg monotonin. Kam një rreth të fortë shoqëeror prej vitesh dhe ndihem shumë mirë me ta. Tek njerëezit edhe tek shoqëria vlerësoj normat, moralin edhe parimet e vet individit. Aktiviteti im i përditshëm është gjatë gjithë kohës në lëvizje. Shkoj në Universitet, vazhdoj degën e “Sociologjisë”, shkoj në punë, në palestër, merrem me gatimin gjithashtu dal edhe me shoqërinë. Pasioni im kryesor për momentin është vetëm modelingu. Dua t’i kushtoj pjesën më të madhe të kohës time vetëm për të. Talenti im më i madh është fotozhenia që unë kam. 
Gjatë gjithë kohës jam shquar për marrëdhënien time me kamerat. Padyshim më pas është kërcimi dhe aktrimi. Më pëlqejn më tepër filmat të zhanerit Drame, pasi zakonisht përcjellin mesazhe të cilat vlejn edhe në jetën reale. Meë pas për sa i përket muzikës pak nga të gjitha, varet nga gjendja emocionale. 
Për mua një femër e bukur dhe me vetbesim është një femër e cila shikon të arrijë sa më shumë në atë çfarë di të bëjë më mirë pa u përpjekur që të ulë të tjerët. Një femër e bukur dhe me vetbesim nuk urren askënd, nuk xhelozon askënd, por dikë më të mirë se vetja, me më shumë arritje e ka shembull, idhull dhe përpiqet sa më shumë e nuk dorëzohet asnjëherë. Unë e ndjej veten shumë të bukur. E pranoj veten kështu siç jam edhe jam shumë e lumtur dhe krenare për këtë femër që unë jam sot. 
Mendoj se bukuria nuk është thjesht pamja e jashtme. Unë bukuri shquaj inteligjencën mbi të gjitha. Kjo mendoj se është dhe “arma” ime më e fortë. Në paraqitjen time nuk do ndryshoja asgjë siç kam përmendur edhe më sipër jam shumë e kënaqur me veten time. Në këtë konkurs kam vendosur të marr pjesë për të bërë ëndërrën time realitet. Nga ky konkurs pres të nxjerr në pah virtytet më të mira të qenies time. Në lidhje me emocionet e natës finale në Pallatin e Kongreseve, mendoj se është më mirë t’ja lë kohës e t’i shijoj kur do ndodhem në atë skenë. Preferoj të shijoj momentin edhe jo të flas para kohe. Kjo jam unë.

Xheni: Unë bukuri shquaj inteligjencën, kjo është edhe “arma” ime më e fortë

About The Author
-